Partia Demokratike ka reaguar për djegien e makinës së kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli.
Përmes një konference për shtyp nga selia blu, ish deputeti Flamur Noka e ka lidhur këtë ngjarje drejpërsëdrejti me kryeministrin Edi Rama.
Sipas tij, Rama u ka dhënë pushtet bandave në Vlorë dhe këto të fundit tashmë kërkojnë të kenë më shumë pasuri.
“Djegia e makinës së Kryetarit të Bashkisë së Vlorës është tregues i shtetit të Edi Ramës të bërë njësh me krimin, ku pushteti i takon bandave dhe jo ligjit.
Në Vlorë po vepron krimi i organizuar që Edi Rama i ka dhënë pushtet, për arsyen e vetme se është krimi i organizuar që financon fushatën e Partisë Socialiste dhe që e ndihmon Edi Ramën të blejë vota e të vjedhë zgjedhjet. Tani, krimi kërkon akoma më shumë zgjerim, kërkon të blejë pasuri të patundshme, të pastrojë paratë e pista dhe nuk ndalet përpara asgjëje”, tha Noka mes të tjerash.