U përplas me tifozët / Arsenali merr vendimin e vështirë për Granit Xhakën

Arsenali po mendon seriozisht për shitjen e mesfushorit shqiptar, Granit Xhaka, këtë dimër, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara të 27-vjeçarit me tifozët. Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë trajneri Unai Emery njoftoi Xhaka se nuk do të jetë më kapiten i skuadrës.
Reagimi i mesfushorit të përfaqësueses së Zvicrës në momentin e zëvendësimit në sfidën me Crystal Palace (2-2) ishte i papranueshëm. Ai iu kundërpërgjigj vërshëllimave të tifozë me me shprehjen fyese “fuck off”.
Emery i kërkoi Xhakës që të kërkonte menjëherë falje, por ndjesa e moderuar e lojtarit erdhi vetëm të enjten e kaluar me një letër publike.
Xhaka mund të mos ketë të ardhme në klubin londinez, madje edhe Emery nuk arriti të konfirmonte nëse mesfushori do të qëndronte, shkruan “Mirror”.
“E ardhmja është e ardhmja e Arsenalit. Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme të shtunën,” u shpreh tekniku spanjoll.
Emery ka refuzuar t’i japë Xhakës (mbeti jashtë skuadrës edhe për ndeshjen në transfertë me Guimaraes) garanci për të ardhmen e tij afatgjatë në “Emirates”.
Xhaka fillimisht u votua si kapiten nga lojtarët e Arsenalit. Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang pritet të marrë shiritin, pasi ishte i dytë më i votuar në hierarkinë e futbollistëve me më shumë influencë në dhomat e zhveshjes. Meqenëse edhe ai nuk ka udhëtuar drejt Portugalisë kapiten në këtë sfidë do të jetë Bellerin.