Ulja e numrit të nxënësve, Besa Shahinit i përgjigjet akuzave të PD-së

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka mbajtur një konferencë ditën e sotme lidhur me akuzat e PD-së për uljen e numrit të nxënësve në shkolla.

Ajo theksoi se trendi i rënies ka nisur që në qeverisjen e PD.

“Trendi i rënies ka filluar që në qeverisjen e PD. Trendi i rënies ka të bëjë kryesisht me rënien e lindjes, që ka të bëjë me të gjithë Europën juglindore.

Suksesi i madh i qeverisë sonë është se braktisja e shkollës ka rënë në mënyrë të ndjeshme dhe ata që frekuentojnë shkollën e mesme është në rritje. Për shkak të politikave tona arsimore, grupet vulnerable që kanë braktisur shkollën kanë filluar të përfshihen në arsim”, tha Shahini.

Më tek, Shahini tha se në total janë 300 shkolla të rikonstruktuar.

“Kryeministri dje raportoi se kemi rikonstruktuar 200 shkolla, por ai nuk përfshiu ato që janë në proces. Në total janë 300. Unë nuk e di se si një objekt shkollor i ndërtuar në 2005-2006 të bëhet për rikonstruksion. Pashë në rrjetet sociale edhe shkollat e amortizuara në zona rurale. Ato shkolla kanë nga 15 apo 7 nxënës në total dhe do ishte përgjegjësi e madhe nga ana jonë të investojmë në ato shkolla që nuk do kenë asnjë nxënës”, tha Shahini.