“Unë besoj në Zot, Rama në Alizot”

Për dy orë deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, u pyet në Prokurorinë për Krime të Rënda në lidhje me çështjen në hetim “Babale”, e cila ka përfshirë në turbulli politikën shqiptare dhe jo vetëm. Në një deklaratë për gazetarët pas dhënies së deklarimeve në organin e akuzës, Salianji nuk dha shumë detaje duke thënë se në vijim do të bëjë publike gjithcka.

I pyetur nga gazetarët mbi videon e dytë të publikuar ku Alizoti thotë se i është bërë presion nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Salianji tregohet sërish i rezervuar duke mos dhënë koment se kush e ka realizuar filmimin e fshehtë.

“I kam dhënë gjithçka prokurorisë, të gjitha detajet për cështjen i kam dhënë te prokuroria”.

“Kë besoni te Alfred Alizoti, versionin e parë apo të dytë”, e pyetën gazetarët.

“Unë besoj në zot, te Alizoti beson Edi Rama”, ishte përgjigjja e shkurtër e Salianjit teksa largohen nga Prokuroria.

Sipas tij, prokuroria ishte po aq e qartë sa edhe publiku që rrjedha nuk ka ndryshuar dhe ka tashme edhe persona të tjerë që kanë dijeni për çështjen.

“Prokurorët ishin të qartë dhe pa asnjë dilemë për atë çështje. Jam person nen hetim për shkak se Agron Xhafaj i burgosur më ka kallëzuar mua dhe gazetarin investigativ, ndërkohë që viktima kallëzuese nuk ka ardhur asnjëherë te pyetet apo dëshmojë”, u shpreh Salianji.

Pak ditë më parë, më 5 Tetor, emri i deputetit demokrat është regjistruar si person nën hetim për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim. Nën hetim sëbashku me Salinajin janë dhe Albert Veliu, Fredi Alizoti e gazetari Jetmir Olldashi.

Fredi Alizoti në dëshminë e dhënë në prokurori në datë 1 Qershor të këtij vitit pretendon se Albert Veliu (Babalja), të cilin e njihte prej 20 vitesh, rreth muajve Tetor-Nëntor të vitit 2017, i kishte thënë që donte t’i bënte një regjistrim Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm, por nuk i gjente dot anën, pasi ai nuk e afronte.

Ai thotë se Babalja i kishte ofruar që të bënin një regjistrim ku ai të aktronte sikur ishte Agron Xhafaj. Siç bën të ditur zyrtarisht Prokuroria për këtë shërbim “Babalja”, i kishte thënë që do të merrnin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.

Këtë bisedë e kishin regjistruar në Vlorë te një lokal përballë atij që kishte Agron Xhafaj. Sipas deklaruesit, “Babalja” kishte premtuar që do t’i jepte 100 mijë euro dhe se zëri i shfaqur në regjistrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me Babalen, ishte i tij. Por prishja e pazareve dhe fakti që ngjarja mori përmasa të mëdha e shtyu Fredi Alizotin që të paraqitej para autoriteteve për të dhënë dëshminë e tij.

Lër një koment