Varoufakis do të kandidojë në zgjedhjet europiane në Gjermani

varoufakis.jpg

Ish-ministri grek i financave Yanis Varoufakis, i cili ka shprehur publikisht kritikat e tij ndaj politikave shtrënguese të mbrojtura nga Berlini në kulmin e krizës së borxhit të eurozonës, do të garojë në zgjedhjet europiane vitin e ardhshëm  në Gjermani.

Lëvizja Demokracia në Evropë 2025 (DiEM25), të cilën ai e filloi në vitin 2016 për “demokratizimin” e kontinentit, e nominoi atë si kandidat për zgjedhjet në Parlamentin Europian në maj të vitit 2019.

“Unë e pranoj nominimin sepse mishëron politikën e re që ne kemi nevojë në Europë”, tha ai në një konferencë shtypi në Berlin ku kolegët e tij shpalosën një flamur me sloganin “Pranvera Europiane”.

“Unë i bëj thirrje të gjithëve të bashkoheni me ne në këtë rrugëtim të ri për demokracinë në Europë, demokracinë në Gjermani si një kusht për zhvillim dhe demokraci autentike”, tha ai.

Varoufakis, i cili shpesh i ka dalë kundër homologut të tij gjerman Wolfgang Schaeuble për shkak të linjës së ashpër gjermane në atë kohë, tha se qendra politike në Gjermani është nën kërcënim për shkak të masave shtrënguese.

“Në letër, Gjermania po mbytet në të holla, por populli gjerman ka qenë viktimë e të njëjtave masave shtrënguese si pjesa tjetër e Europës. Rezultati është niveli i ulët i investimeve, “tha ai.

Ai tha se lëvizja e tij donte të investonte në politikat e gjelbra për të trajtuar ndryshimet klimatike.

Varoufakis, i cili u largua si ministër i financave në vitin 2015 lidhur me kushtet e ndihmës së Greqisë, gjithashtu ka krahasuar shpëtimin me Traktatin e Versajës, i cili detyroi dëmshpërblimin e Gjermanisë pas Luftës së Parë Botërore dhe kontribuoi në ngritjen e Adolf Hitlerit.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303