fbpx

Veliaj dhe Xhacka në terren, masa drastike për tregun e Kombinatit

Nga kjo e hënë situata në tregun e Kombinatit nuk do të jetë më kaq e frikshme sa këto ditë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe drejtues të Policisë së Shtetit, inspektuan sot tregun në Kombinat, ku nga fillimi i javës së ardhshme lëvizja do jetë me një drejtim, tezgat nga njëra-tjetra do të duhet të kenë distancë dy metra dhe në hyrje do të vendoset edhe një tunel higjenor për dezinkfektimin e qytetarëve.

“Nga e hëna tregu fillon me rregulla të reja. Në fundjavë do të vendosim barrierat, sinjalistikën me një kalim, ambulantët do të zhvendosen te njësia administrative, që të përgjysmohet si treg. Nëse do të kemi sërish një situatë ekstreme dhe mosbindje, mund të detyrohemi ta mbyllim tregun fare”, tha Veliaj.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u kërkoi qytetarëve që të tregojnë përgjegjshmëri këto kohë, pasi në të kundërtën do të ketë dhe ashpërsim të mëtejshëm të masave. Në të gjithë tregjet Bashkia e Tiranës vijon edhe me pastrimin dhe dezinfektimin.