Veliaj: Gjoba jo për lypësit, por për shfrytëzuesit e tyre

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar në lidhje me lajmin se do të ketë gjoba për lypësit e rrugës, duke thënë se, gjobat nuk do të jenë për lypësit, por për shfrytëzuesit e tyre. Këtë sqarim e bëri Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, teksa  shpërndau dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që vijnë nga familje në nevojë në Qendrën Sociale Multidisiplinare në Bulevardin “Zogu I”

“Një njeri që lyp s’ka as llogari bankare, as numër NIPT-i, as adresë ku mund t’i vëmë gjobë, as nuk e kemi menduar t’i vëmë gjobë, por dikush që shfrytëzon lypësit, që qëllimisht e merr dikë dhe e trajton si bankomat, e nxjerr në rrugë për ta shfrytëzuar, për t’i futur duart në xhepa. Sigurisht, për këtë jo vetëm gjobë, por edhe burg, edhe sanksione të tjera, sepse askush nuk ka të drejtë, qoftë edhe fëmijën e vet, ta shfrytëzojë për të marrë para nga rruga. Ndaj, jo vetëm që s’ka gjobë për lypësit, por përkundrazi kemi marrë përsipër programin social më radikal që është marrë ndonjëherë në qytetin e Tiranës dhe Republikën e  Shqipërisë, ama për ata që i shfrytëzojnë do të jemi të pamëshirshëm. Të mëshirshëm me të dobëtit, të pamëshirshëm me ata që abuzojnë dhe që shfrytëzojnë një njeri tjetër për interesin e tyre”.

Kryetari i bashkisë së Tiranës ftoi kompanitë e bizneset që në këtë fundviti të japin kontributin e tyre në këtë fushatë solidariteti për njerëzit në nevojë.

“Për të gjithë ata që këtë vit kanë hequr mënjanë një lodër, ndonjë veshje, një vakt, i falenderoj me gjithë zemër, se qytetar dhe kryeqytetar nuk të bën adresa, nuk të bën numri i apartamentit në Tiranë, por mënyra si sillesh.

Ai shprehu mirënjohjen edhe për të gjithë punonjësit social të Bashkisë së Tiranës dhe vullnetarët e qendrave sociale që edhe në këto ditë festash qëndrojnë pranë fëmijëve dhe njerëzve në nevojë. (real-news.tv)

Lër një koment