fbpx

Veliaj mesazh mbështetësve të PD-LSI-PDIU: Pse duhet të na votoni

veliaj1.png

Në takimin tij të fundit elektoral në kryeqytet, kandidati i koalicionit të majtë Erion Veliaj iu drejtua me një mesazh të gjithës simpatizantëve të PD-së, LSI-së dhe të PDIU-së. Veliaj theksoi se 30 qershori është data kur mund të votohet për më shumë dinjitet dhe për më shumë punë për ta çuar Tiranën edhe më lart.

“Nëse nuk kemi qenë pjesë e familjes tonë, por për herë të parë sot jeni bashkuar, mund të keni qenë me PD, me LSI, me PDIU, por sot është mitingu i juaj i parë në familjen tonë, ne ju themi mirëserdhët, kjo është edhe familja juaj. Një familje që nuk i le punët në gjysmë, një familje që nuk ju tradhton, një familje patriote që do Shqipërinë mbi çdo interes tjetër. Kjo është familja jonë dhe jeni të mirëpritur. Nëse po dëgjoni ata që mundohen që në 2019, 100 vite pas Tiranës kryeqytet, të mbjellin frikë, ne po ju themi të mbjellim shpresë.
Nëse dëgjoni ata që mbjellin urrejtje ne kemi 4 vite dhe do vazhdojmë të mbjellim dashuri për njëri-tjetrin. Nëse dëgjoni ata që ju thonë të ushtroni dhunë vëlla me vëlla, të dhunojë shqiptar-shqiptarin, ne ju themi ne nuk besojmë te dhuna, ne besojmë te puna”, tha Veliaj, teksa shtoi se puna e ka bërë Tiranën historinë e suksesit që është sot.

“Nëse nuk keni votuar kurrë për PS, por keni çuar fëmijën në një nga çerdhet tona, ku po trajtohet me dashuri, ku po rritet me kujdes, ku po ushqehet mirë. Siç ju kemi ndihmuar na detyroheni ndihmën me votë për PS që të bëjmë më shumë çerdhe. Nëse nuk na keni votuar kurrë, por dilni me biçikletë, na detyroheni një votë që të vazhdojmë të bëjmë akoma më shumë korsi. Nëse nuk na keni votuar, por ecni në një rrugë që sot është me e pastër, që ka hije, pemë gjelbërim, na detyroheni një ndihmë me votë që të bëjmë më shumë pastërti, gjelbërim, infrastrukturë. Nëse i çoni fëmijët në një shkollë të re, në Shkollën Kosova, Ardian Klosi, në shkollat e reja që janë ndërtuar nëpër Tiranë, nuk ka rëndësi bindja politike, por nëse fëmija shkon në një shkollë më të mirë na detyroheni ndihmën me votë që të bëjmë më shumë shkolla. Nëse i mbani mend si kanë qenë varrezat edhe në Tufinë, edhe në Sharrë. Asnjë nuk shkon me gëzim, por vetëm PS dhe skuadra jonë ka kthyer dinjitet nga bebja i vogël deri në momentin kur largohemi nga kjo botë. Nëse duam më shumë dinjitet, nëse ju kemi trajtuar me respekt, me dashuri, ju kemi shërbyer përulësisht, na detyroheni një votë që ta vazhdojmë këtë punë akoma m ë shumë, akoma më fort, akoma më shpejt, ta çojmë Tiranën akoma më lart”, deklaroi Veliaj.

Ai nënvizoi se në këto 100 vite si kryeqytet, Tirana ka kaluar shumë sfida e peripeci, por gjithmonë ia ka dalë që të ngrihet.

“Vitin që vjen Tirana mbush 100 vjet si kryeqyteti i gjithë shqiptarëve, me shumë sfida e peripeci, ku kemi parë lloj-lloj pushtuesish, zaptimi. Është rrëzuar, por është ngritur prapë sepse Tirana nuk e ul asnjëherë kokën. 6 muajt e fundit e kemi parë Tiranën, të ndotur, të dhunuar, të vandalizuar dhe e kemi duruar, por në 30 qershor nuk e pranojmë më dhunën, zjarrin sepse Tirana është e jona dhe e fëmijëve tanë. Kjo është Tirana jonë, e njerëzve perëndimor”, theksoi Veliaj.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303