Veliaj: Njësia 4, simbol i transformimit të Tiranës

Njësia 4 ishte ndalesa e dytë e turit të dëgjesave me qytetarët e Bashkisë së Tiranës për Buxhetin 2019 dhe bilancin e punës së realizuar në këto 3 vjet. Nga shkolla e re “Ardian Klosi”, e cila u ndërtua pikërisht gjatë këtyre 3 viteve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Njësia 4 është simbol i transformimit që ka pësuar e gjithë Tirana.

Kjo jo vetëm sa i përket rehabilitimit të Lumit Tirana, por për të gjitha punët e bëra, duke nisur nga më të vegjlit me çerdhet, kopshtet dhe shkollat, infrastruktura rrugore, ujësjellës etj. Për këtë ai theksoi se çdo qytetar që i besoi votën 3 vite më parë duhet të ndihet krenar.

“Janë gjithmonë të sikletshme takimet kur kthehesh në vende ku s’ke mbajtur fjalën, ku s’ke bërë asnjë punë, por duke filluar nga salla ku jemi sot e deri tek rruga që na solli këtu, te mënyra si ka ndyshuar kjo lagje, besoj se secili që i thotë vetes socialist duhet ta mbajë kokën lart e të ndihet krenar që partia jonë, vota për forcën tone, sjell një transformim të paimagjinueshëm. Ne nuk jemi një forcë që ndryshon gjërat një herë në katër vjet, ne jemi një forcë politike që çdo javë ndryshon diçka. Bregu i Lumit ishte një fjalë fyese; po t’i thoje dikujt je nga Bregu i Lumit, praktikisht po i thoje, s’ ke vlerë, unë s’flas me ty, je pa dinjitet, ik kthehu nga ke ardhur! Sot të thuash Bregu i Lumit është tjetër gjë, kjo është një ndër shkollat më të mira jo në Tiranë, por në Republikë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Lër një koment