Vendet e Evropës ku femrat dominojnë në shkencë

Woman_science.jpg

Evropa ka ende shumë për të bërë, në mënyrë që të kapërcejë hendekun gjinor në shkencë. Megjithatë, pesë shtete janë përjashtimi që vërteton rregullin.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Komisioni Evropian ka bërë të ditura disa statistika, sipas të cilave, vetëm 41% e shkencëtarëve dhe inxhinierëve në vendet e BE janë femra.

Megjithatë, ka përjashtime të dukshme. Në pesë shtete të BE-së, shumica e shkencëtarëve dhe inxhinierëve janë femra. Lista kryesohet nga Lituania, e cila 57% të shkencëtarëve i ka femra, në vendin e dytë renditen Bullgaria dhe Letonia me nga 53%, e treta është Portugalia me 51% dhe në fund Danimarka me pak më shumë se 50%.

Në fund të klasifikimit mbi baza gjinore të shkencëtarëve janë Hungaria dhe Luksemburgu me nga 25%, Finlanda me 29%, si dhe Gjermania me 33%.

Përfaqësimi i ulët i femrave në shkencë përbën shqetësim për barazinë gjinore. Karriera shkencore dhe ajo inxhinierike zakonisht ofrojnë mundësi të mira punësimi dhe paga më të mira sesa ato në sektorët e tjerë ku punësohen zakonisht femrat, thuhet në një raport të OECD.

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë është një iniciativë që ka për qëllim të nderojë shkencëtaret femra dhe t’i bëjë ato të shihen si modele që duhen ndjekur nga vajzat dhe djemtë.

Viti 2018 ishte i suksesshëm për femrat e shkencës, pasi tre prej tyre fituan Çmimin Nobel./real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303