fbpx

Vendimi final/ Messi “thyen heshtjen”, tregon nëse do largohet apo jo nga Barcelona

Leo Messi ka “thyer heshtjen”, duke folur rreth së ardhmes së tij. Në një prononcim për “Goal”, ylli argjentinas zbulon se nuk do të largohet nga Barcelona, vendim që lumturon tifozët dhe popullin katalanas.

“Kurrë nuk do të largohem nga ky klub për shkaqe ligjore, kështu që do të vazhdoj të jem pjesë e Barcelonës. Ka qenë një vit i komplikuar dhe disa herë i kam shprehur drejtuesve dëshirën time për t’u larguar.

Kam vuajtur shumë gjatë stërvitjeve, ndeshjeve dhe në dhomat e zhveshjes. Doja të provoja një sfidë të re, kjo nuk ka lidhje fare me humbjen 8-2 kundër Bayern Munchen. Ia thoja gjithmonë presidentit Bartomeu, i cili më përgjigjej se mund të vendosja në fund të sezonit nëse do të qëndroja apo largohesha.

Ai nuk e mbajti fjalën që më dha. Jam ndjerë keq nga shumë fjalë që kanë qarkulluar, pasi askush nuk duhet ta vërë në dyshim dashurinë time për Barcelonën. Mos harroni që kam pasur gjithmonë mundësi për t’u larguar edhe në të kaluarën.

Mund të fitoja edhe më shumë para, por nuk e kam bërë dhe kam zgjedhur të qëndroj te Barça. Gjithmonë kam thënë që këtu është shtëpia ime, por këtë radhë e ndjeva që duhet të lëvizja, për të provuar sfida të reja, gjëra të reja dhe arritur objektiva të reja.

 Gjithmonë jam shprehur se dua të qëndroj te Barcelona. Doja një projekti fitues për të fituar tituj dhe për të rritur legjendën e Barcelonës në nivelin e trofeve, por, të tregohemi realiste, prej kohësh nuk ka një projekt fitues në klub.

Drejtuesit mashtrojnë dhe mundohen të mbyllin vrimat, teksa gjërat të shkojnë si të shkojnë. Unë do të vazhdoj të jap gjithçka për Barcelonën, impenjimi im dhe sjellja ime nuk do të ndryshojnë aspak.

Hodha sytë vërdallë, pasi dua të luftoj në nivele të larta dhe të fitoj. Mund të fitosh ose humbasësh, e di që është shumë e vështirë, por duhet të luftosh. Kjo është minimalja, nuk mund të shkërmoqemi ashtu siç ndodhi në Romë, Liverpul dhe Lisbonë.

Kjo më bëri të mendoj për t’u larguar. Siç e thashë më lart, mendoja se isha i lirë për ta bërë diçka të tillë. Presidenti ma ka përsëritur gjithmonë se mund të merrja një vendim të tillë në fund të sezonit.

Ai më tha se e vetmja mënyrë që të largohem është pagimi i klauzolës prej 700 milion eurosh, diçka e pamundur. Ekzistonte mundësia ta zgjidhnim në Gjykatë, por zgjodha të mos e bëj dhe të qëndroj. Nuk do përballem kurrë me Barcelonën, pasi e dua këtë klub.

Më ka dhuruar gjithçka prej momentit të parë që erdha këtu, është klubi i jetës time, kam një jetë këtu. Unë dhe Barça i kemi dhënë gjithçka njëri-tjetrit. Nuk më ka kaluar asnjë moment në mendje të dërgoj klubin në gjyq, kështu që do të vazhdoj të luaj këtu“, përfundon Messi.