Vendimi për Dajtin, Lleshaj: S’do ketë paqe derisa të zhbëhet

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar vetëm pak minuta pas ministres së Drejtësisë, Gjonaj, për të dënuar vendimin e gjykatës për uljen e dënimit ndaj Dritan Dajtit.

Lleshaj u shpreh se ky vendim ishte një atentat ndaj drejtësisë.

“48 orët e fundit kanë qenë orë të përjetimeve të rënda për familjarët e oficerëve të rënë në krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009, për Policinë e Shtetit dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, si pasojë e një vendimi kriminal të disa gjyqtarëve që meritojnë plotësisht t’u bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre.

Kam pritur këto 48 orë sa të sigurohesha që ky krim i njerëzve me imunitet ligjor dhe kushtetues të mos kishte si përgjigje vetëm një deklaratë publike, por edhe një reagim të fortë e të vendosur si dhe një proces të qartë ligjor”, tha ministri Lleshaj, i cili kërcënoi gjyqtarët se  “Forca e Ligjit” do të veprojë mbi ta.  Lleshaj siguroi qytetarët se përgjigjja e institucioneve do të jetë e fortë dhe ligjore.

/Real-news.tv/