Vendimi i qeverisë “Rama” për të mbyllur ccdo kazino dhe sallon bastesh në vend do të ketë edhe ‘efektet anësore’ të tij.
Qindra qytetarë do të mbeten të papunë. Këtë temë e ceku sot në Kuvend edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili njoftoi se po përgatitet “një program rikualifikimi për të gjithë ata që do të dalin të papunë”.
“Ajo industri u kthye në plagë sociale dhe zgjodhëm një mënyrë drastike për mbylljen e një elementi që rezultoi i pamundur të kontrollohej plotësisht. Në 1 janar nuk do të ketë më pika bastesh dhe kazino elektronike. Çfarë do të bëhet me të ardhurat që nuk do të mbledhë buxheti i shtetit dhe me të punësuarit? Janë shqetësime me bazë, por në raport me plagën sociale, prevalon mbyllja e basteve dhe kazinove. Po përgatisim një program rikualifikimi për të gjithë ata që do të dalin të papunë nga shërbimet e kësaj industrie. Shërbimi Kombëtar i Punës ka nisur punën për hartimin e një programi specifik për një rikualifikim të detyrueshëm. Është iniciativë për t’u përshëndetur dhe mbështetur”, tha ndër të tjera në fjalën e tij në seancën e sotme plenare, ministri i Financave Ahmetaj.