Vendimi për Salianjin/ Basha: Dy prokurorët e korruptuar dështuan

Pasi Prokuroria e Tiranës kërkoi 3 vjet shërbim prove për ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji, kreu i opozitës Lulzim Basha e quan këtë vendim një formë diktature, duke akuzuar kryeministrin për rikthimin e gjyqeve politike.

Sipas tij as prokuroria, dhe askush tjetër nuk do të mundë t’i mbyllë gojën Salianjit apo ndonjë përfaqësuesi tjetër demokrat, sepse beteja e tyre ndaj krimit do të shkojë deri në fund.

Madje kreu i opozitës nuk ngurroi të përmendte edhe emrat e prokurorëve, sipas tij të korruptuar dhe në shërbim të Ramës.

’30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës. Për të dënuar Ervin Salianjin, që denoncoi me fakte, përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në trafik droge, Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit.

Askush, nuk do të arrijë kurrë t’i mbyllin gojën as Ervin Salianjit dhe asnjë përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike. Beteja jonë me krimin e organizuar, dhe denoncimi i lidhjeve të krimit të organizuar me Qeverinë e Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij në drejtësi, nuk ka për tu ndalur’, shkruan Basha në ‘Facebook’.