Vendimi për Shqipërinë/ Hashim Thaçi uron Shqipërinë dhe ankohet për Kosovën

Vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e ka përshëndetur edhe Presidenti i Republikës së Kosovës.

Teksa e ka cilësuar një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian për këto dy vende, për shqiptarët dhe për gjithë rajonin, Thaçi ka thënë se Bashkimi Evropian po vazhdon të diskriminojë Kosovën.

“Vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian për këto dy vende, për shqiptarët dhe për gjithë rajonin tonë.

Përkundër padrejtësive të vazhdueshme, më në fund edhe Bashkimi Evropian nisi të marrë vendime meritore dhe kjo uroj të jetë një kthesë e tyre për trajtim të barabartë të tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian po vazhdon ta diskriminojë Kosovën duke e lënë të izoluar dhe ende pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Ky është gabimi më i madh strategjik, që Bashkimi Evropian është duke e bërë kundër Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.