Venecia për vetting-un në politikë, reagojnë partitë

 

Një delegacion i Komisionit të Venecias ka zhvilluar ditën e hënë një takim me përfaqësues të partive politike në vendin tonë.

Në përfundim, deputeti demokrat Edmond Spaho tha se përfaqësuesve të Venecias i parashtruan qëndrimin e Partisë Demokratike për se nuk duhet të ketë dy standarde.

Ndërsa Ulsi Manja i Partisë Socialiste tha se e mirëpresin opinionin e Venecias si tabanin e demokracisë.

“Ne parashtruam qëndrimin e PD-së i cili në thelb është se nuk duhet të ketë dy standarde, por standardi që zbatohet për prokurorët dhe gjyqtarët duhet të aplikohet për politikanët, kur flasim për lidhje me botën e krimit të organizuar. Shpjeguam me fakte se asnjë reformë në Shqipëri nuk do të ketë sukses nëse nuk do të shkëputen lidhjet e politikës me krimin e organizuar”, u shpreh Spaho.

Ndërsa Ulsi Manja deklaroi për mediat: “Në këndvështrimin tonë takimi me delegacionin ishte shumë i frytshëm. Ishte një takim informues dhe sqarues me pyetje dhe përgjigje nga të dyja palët. Ne besojmë shumë në kompetencën dhe autoritetin e Komisionit të Venecias lidhur me opinionet e tyre lidhur me ndryshimet kushtetuese. Shpjegimet dhe mendimet tona do t’ua dorëzojmë edhe me shkrim, edhe pse në materialin që kemi dërguar në Venecia nga Kuvendi ne i kemi dërguar disa pyetje. Por, ne mirëpresim opinionin e Venecias si tabanin e demokracisë”.

Lër një koment