Vetëdorëzohet në polici zv.drejtori i Kadastrës, ‘lumë’ akuzash ndaj tij

Është vetëdorëzuar në policinë e Durrësit zv.drejtori i shpallur në kërkim i Kadastrës së Durrësit, Arben Isaku, i cili aktualisht është sekretari organizativ i PS në këtë qytet. Po kështu së bashku me Isakun është vetëdorëzuar edhe specialisti i agjencisë së Kadastrës, F.R.  Urdhri për arrestimin e tyre u dha nga organi i Prokurorisë së Durrësit për shkak se akuzohen për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre si dhe mitmarrje.

Kujtojmë se skema abuzive e legalizimeve me dokumente false në zonën e Durrësit është zbuluar në saj të operacionit anti-infomralitet. Më 10 gusht Policia ndaloi R.K., 27 vjeç, ekonomist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës ndërsa në kërkim u shpallën dy personat që u vetëdorëzuan sot.

Skema e tyre për legalizimet kundër ligjit është zbuluar pas një hetimi disa -mujor ku është pikasur rasti i shkeljes nga tre personat në fjalë.

Ata kishin pajisur me leje legalizimi të falsifikuar Xh.N., 29 vjeç, banues në Durrës  dhe  E.S., 39 vjeç, banues në Berat për një sipërfaqe 123 metra katror dhe truall 500 metra katror në zonën e plazhit.

Ndërkohë mësohet se në kërkim janë shpallur edhe personat të cilët janë pajisur me lejen e legalizimit pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale ” Vjedhja me pasoja të rënda” parashikuar në nenin 134/3 të Kodit Penal.