fbpx

Vetëvendosje i dërgon letër, LDK-ja e konsideron jozyrtare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se anëtarët e kësaj partie janë duke e shqyrtuar letrën e dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndonëse atë e ka konsideruar si jozyrtare.

Ai ka thënë se LDK-ja është e interesuar që ta përfundojë procesin e negociatave rreth marrëveshjes eventuale për koalicion qeverisës.

“Letrën do ta shohim, nuk e konsideroj që është letër zyrtare dhe përgjigje zyrtare. Ajo që mund të them është që ne jemi të interesuar ta përmbyllim këtë proces, të gjejmë rrugë për marrëveshje, të themelojmë institucionet dhe mos të vazhdohet kjo agoni e institucioneve. Për këtë ne do të mundohemi të punojmë në mënyrë maksimale. Dhe për këtë kërkoj që edhe Lëvizja Vetëvendosje të japë kontributin e saj”, tha Mustafa.

Komentet e Mustafës pasuan dërgimin e një letre në adresë të Lidhjes Demokratike nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Një ditë më parë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka publikuar ofertën e saj për koalicion qeverisës, duke e prezantuar atë si ofertë të fundit. Mustafa, ka theksuar se nuk është i gatshëm të negociojë më gjatë dhe pret vetëm përgjigjen e Vetëvendosjes rreth kësaj oferte.

Deri më tani, liderët e të dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë takuar 8 herë me synimin për të përmbyllur një marrëveshje për koalicion, mirëpo të gjitha takimet kanë rezultuar të pasuksesshme.