Vetëvendosje i përgjigjet “kërcënimit” të Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje i është përgjigjur deklaratës së Presidentit, Hashim Thaçi, i cili deklaroi se do të ndërmerrte hapa ligjore nëse nuk do të vendosej për formimin e qeverisë së re.

Vetëvendosje tha se do ta bëjë brenda afateve dhe pa vonesa dorëzimin e emrit të mandatuarit për krijimin e qeverisë, por pa saktësuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Ndërkohë që sot mbushen 22 ditë që nga momenti i konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së kryetarit e nënkryetarëve. Megjithatë, partia fituese në zgjedhjet e tetorit, nuk e ka dërguar ende emrin në presidencë.

Thaçi ka kërkuar që sa me shpejtë të bëhet propozimi për mandatarin e qeverisë, duke shtyrë kështu për një marrëveshje sa më të shpejtë LDK-në dhe VV-në.

Ai ka deklaruar para mediave se shpreson në vullnetin e mirë të spektrit politik që të gjendet një zgjidhje, në përputhshmëri me votën e qytetarëve.

Më tej ka shtuar se në rast se nuk ndodh një gjë e tillë do të ndërmarri të gjitha hapat kushtetues dhe ligjor.