VIDEO/ Ia bleu pronën shtetit 113 milionë lekë, por shteti ia shemb

Screenshot_9-3.jpg

Arben Myzeqari ka paguar 113 milionë lekë pas kontratës së lidhur me ALUIZNI-n që të kalojë pronësia e një objekti nga shtet në emër të tij, por bashkia ia prish objektin.

Në kontratë ALUIZNI deklaronte se garanton kryerjen e procedurave të regjistrimit. Ndërkohë prokuroria asokohe hapi një hetim me kallëzim të Arben Myzeqarit, por që kallëzuesi nuk e pranon ta ketë bërë.

Në Fiks Fare u ankua Arben Myzeqari pasi kishte 4 vjet që ende nuk e kishte gjetur arsyen se pse iu prish lokali i tij që e kishte në lagjen “11 Janari” në Fier.

Prona iu prish nga bashkia edhe pse kishte lidhur një kontratë me ALUIZNI-n, ky institucioni merrte përsipër regjistrimin e objektit. Faturat e shkëmbyera midis Myzeqarit dhe ALUIZNI-t për kalimin e pronësisë nga shtet ne emër të tij, kapin shumën prej 113 milion lekë të vjetra.

“Në 2011 doli VKM, që kjo pronë shtet të kalonte në pronësi të nënës sime, nënshkruam dhe kontratën me ALUIZNI-n, paguam dhe 113 milionë lekë, por asnjëherë nuk u pajisëm me dokumente, akoma më e rëndë është se Bashkia Fier e prishi objektin që ALUIZNI me kontratë më quajti pronar të objektit pas shumës që pagova ” tregon Myzeqari.

Ai tregon për Fiks Fare se ka vite që endet gjykatave, por më e rëndësishmja është se ka katër vite që Prokuroria Fier ka sekuestruar dosjen pranë ALUIZNI-t.

Motivi i sekuestrimit te dosjes sipas prokurorisë është se Arben Myzeqari ka bërë një kallëzim për punonjësit e Aluiznit. Motiv të cilin Arben Myzeqari e mohon për gazetarët e Fiksit.

“Si mund të bëja unë kallëzim për pronën që unë e pagova tek ALUIZNI. Prej këtij vendimi ka 4 vite që prokuroria mban dosjen. Dhe unë dhe familja ime paguajmë kredinë që morëm për të paguar faturat te ALUIZNI” tregon Arbeni.

Ai kërkon nga emisioni Fiks Fare vetëm të dalë e vërteta.

Gazetarët e Fiksit trokitën në të gjitha institucionet ku Arben Myzeqari ishte mbajtur pa përgjigje.

Ish drejtori i ALUIZNI-t thotë për Fiksin se meqë dosja është në prokurori, është pezulluar edhe procesi i legalizimit, në momentin që dosja kthehet, do vazhdojmë procedurat.

Ndërkohë prokuroria konfirmoi për Fiksin se dosja është kthyer tek ALUIZNI.

Të gjendur para këtij fakti gazetarët iu ridrejtuan ALUIZNI-t, ku ky i fundit kërkoji një kërkesë me shkrim, pasi dosja ishte voluminoze.

Emisioni Fiks Fare u drejtua edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive Fier, për të mësuar mbi statusin juridik të pronës dhe nëse ai ka ndryshuar ndonjëherë. Institucioni kthen përgjigje se kjo tokë është tokë shtet dhe statusi i saj nuk ka ndryshuar asnjëherë. Gjithashtu ZRPP Fier pranon se e njëjta përgjigje i është kthyer edhe ALUIZNI-t në vitin 2010, kur ka kërkuar statusin e pronës.

Dera e fundit ku gazetarët e Fiksit trokitën ishte ajo e Bashkisë Fier , për të mësuar se mbi cilin vendim doli urdhri i prishjes se lokalit të zotit Arben, por ky institucion nuk u përgjigj.

Top Channel

scroll to top