VIDEO/ Lëvizte me armë në makinë, pranga 44-vjeçarit

Gjatë 12 orëve të fundit Policia rrugore ka mundur të sekuestrojë në kontrollet e kryera armë zjarri, mjet të blinduar, fenelina policie dhe gjithashtu ka goditur një rast të trafikimit të paligjshëm të klandestinëve.

Për pasojë në prangat e policisë kanë rënë katër persona, dy prej të cilëve ishin në kërkim.

Një 44-vjeçar nga Fushë Kruja me inciale M. V rezultoi se drejtonte një automjet të blinduar pa autorizimin përkatës dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit.

Për shkak të mangësive  dhe përdorimit  të  sistemeve pamore shtesë, pas një kontrolli gjatë të cilit,44-vjeçarit  në çantën e dorës iu gjet edhe një armë zjarri pa leje, e tipit TT.

Ai ra në prangat e bluve për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Mjeti me të cilin lëvizte 44-vjeçari është sekuestruar dhe ky person është ndëshkuar edhe me masën administrative “Tërheqja e lejes së drejtimit”, për përdorim të sistemeve shtesë dhe mungesë të dokumentacionit të automjetit të blinduar.

Efektivët e Policisë Rrugore Tiranë kanë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin  të shpallur në kërkim.

Në pranga ka rënë 20-vjeçari me iniciale E.K i cili u ndalua për t’u ndëshkuar me masë administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por nga verifikimi i mëtejshëm rezultoi se ky person ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të rendit publik”.

Personi tjetër i arrestuar nga blutë ishte 40-vjeçari me iniciale B.Sh i cili u ndalua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por nga verifikimi rezultoi se ky shtetas ishte i dënuar nga Gjykata e Rrethit Durrës me 2 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.

Policia ka ndaluar edhe 19-vjeçarin me iniciale M.C i cili nga verifikimi rezultoi i papajisur me leje drejtimi, si dhe duke transportuar me mjet disa shtetas sirianë, në drejtim të Shkodrës, me qëllim dhënien ndihmë, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimit.

19-vjeçari është arrestuar në flagrance për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Nga data 1 deri në 14 janar 2020, falë kontrolleve nga Policia e Shtetit janë sekuestruar 3 pistoleta, 4 kallashnikovë, 3 armë gjahu, 3 pushkë, 1 silenciator, fitil zjarrpërcjellës dhe 3 armë të ftohta (thika).