Video/Përshkallëzohet situata, ngujohet edhe Mjekësia

Pas fakulteteve të Ekonomisë, Juridikut dhe Inxhinierisë së Ndërtimit tashmë ngujimit të studentëve iu është bashkuar edhe fakulteti i Mjekësisë.

Përmes një videoje, studentët e këtij fakulteti kanë demonstruar edhe formën e tyre të protestës përmes ngujimit në mjediset e këtij fakulteti me thirrjen: Mjekësia ngujohet!

Prej 4 ditësh, studentët e fakulteteve kryesore në Tiranë vijojnë ngujimin në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të tyre. Një pjesë e studenteve kanë mbetur të bllokuar për më shumë se 48 orë në fakultete, pasi dyert kanë qenë të mbyllura.

Janë rreth 50 studentë të Mjekësisë, të cilët thanë se natën do ta kalojnë tek Ekonomiku ndërsa të hënën do të vijojnë bojkotin te Fakullteti i tyre, ku pritet të jenë edhe më të shumtë në numër.

“Dënojmë dhunën që është ushtruar nga policia ndaj shokëve tanë të Fakulteteve të tjera dhe solidarizohemi me ta. U themi që Mjekësia është e gatshme ti mbështesë me çfarëdo ndihme. Në kuadër të këtij solidarizimi kemi vendosur dhe ne të ngujohemi si Fakultetet e tjera. Jemi një grup me disa studentë, nesër presim të 2-3 fishohemi. Protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e  8 kërkesave dhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë. Sonte ne do të flemë këtu, grupi prej 40-50 studentësh, ndërsa nesër do të vijojmë bojkotin te Fakulteti i Mjekësisë”.

“Anuloni ligjin” ishte thirrja në kor e studentëve drejtuar kryeministrit Rama.

Në mbrëmjen e sotme në fakultetin e Ekonomikut mbi 200 studentë u janë bashkuar studentëve të tjerë të cilët vijonin ngujimin në ambientet e brendshme të këtij institucioni, raporton BalkanWeb.

Megjithëse, dera kryesore e fakultetit ishte e mbyllur me dryn, punonjësit e sigurisë dhe policia e shtetit e gjendur para një numri të madh studentësh kanë vendosur të hapin portën dhe të lejojnë studentët të futen brenda./real-news.tv/