VIDEO/ Shpërthen vullkani në Zelandën e Re, një i vdekur dhe dhjetra të plagosur

Një vullkan shpërtheu në Zelandën e Re, duke lënë të vdekur një person dhe plagosur disa të tjerë.

Vullkani shpërtheu në Ishullin e Bardhë, nga ku mundën të shpëtojnë 23 vetë.

Autoritetet thanë se rreth 100 persona besohet të kenë qenë pranë vullkanit në momentin e shpërthimit.

“E dimë se ka pasur një numër turistësh përreth ishullit në atë kohë, si banorë vendas, ashtu edhe vizitorë”, -tha kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Ajo shtoi se policia ka nisur operacionin e kërkim-shpëtimit, por hiri i vullkanit po i pengon përpjekjet.

Vullkani në Ishullin e Bardhë është një nga më aktivët në Zelandën e Re.

Më 3 dhjetor, faqja e monitorimit të rreziqeve gjeologjike GeoNet paralajmëroi se “vullkani mund të jetë duke hyrë në një periudhë kur aktiviteti shpërthyes ka më shumë gjasa të ndodhë”, megjithëse shtoi se “niveli aktual i aktivitetit nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për vizitorët”.