VIDEO/ Shpresat për Europian janë ende gjallë

Shqipëria mban gjallë shpresat për në Evropian. Edi Reja ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme në shtëpi, me fitore. Të besuarit e tij fituan pastër 2-0 Moldavinë.

Me pjesën e parë që u mbyll me rrjeta të paprekura, pavarësisht rasteve sporadike nga të dy skuadrat, fraksioni i dytë ndryshoi totalisht fytyrën e tanëve. Aktivizimi i Cikalleshit dhe Roshi në vend të Sadikut e Lenjanit dha frytet e duhura. Ishte pikërisht kjo dyshe, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin tundën rrjetën kundërshtare. Inkursioni i shpejtë i fierakut dhe fati në anën e tij nxorën të lirë kavajasin, i cili nga fare pranë portës nuk fali.

Një episod që çliroi kuqezinjtë, që nisën të administronin lojën. Moldavia u mundua të reagojë, por më kot, pasi centrimetrat e Mavraj dhe eksperienca e Hysaj e Veselit bllokuan gjithçka. Kur u duk se gjithçka po mbyllej në një avantazh minimal të kuqezinjve, Ylber Ramadani realizoi një nga golat më të bukur në karrierën e tij. 23 vjeçari lëvizi mjaft mirë në zemër të mbrojtjes mike dhe në hyrje të zonës goditi bukur me të djathtën, për të dërguar në delir tifozët kuqezi.