VIDEO/ Slavia Prague ndal festën e Barcelonës, Leipzig i afrohet kualifikimit

Dy gola u shënuan, por sfida e “Camp Nou” mes Barcelonës dhe Slavia Prague u mbyll me shifra të bardha, 0-0. Spanjollët nuk shkuan më shumë se një barazim ndaj çekëve, duke shpërdoruar rastin për tu “arratisur” në krye të grupit F.

Në mitikun katalanas nuk munguan rastet, ndërsa golat u ndalën vetëm nga sistemi VAR. Çekët shënuan në minutën e fundit të pjesës së parë, por për kryesorin ishte pozicion jashtë loje. E njëjta situatë edhe në krahun tjetër, me Barcelonën që festoi, por VAR anuloi gjithçka.

Në minutat e fundit, Barcelona pretendoi për penallti, por VAR nuk ishte i këtij mendimi, duke bërë që spanjollët të kënaqen me vetëm 1 pikë. Pas këtij rezultati, Barcelona qëndron në krye të grupit me 8 pikë, ndjekur nga Inter e Dortmund me 4, por me një takim më shumë për të zhvilluar. Mbyll grupin, Slavia me 2 pikë.

Në takimin tjetër, Leipzig mposhti 2-0 Zenitin dhe tashmë është kandidate e denjë për të kaluar në raundin tjetër. Demme dhe Sabitzer ishin autorët e golave që i dhanë fitoren gjermanëve.

Tashmë, Leipzig, shkëputet në krye me 9 pikë, i ndjekur nga Zenit e Lyon me 4 dhe Benfika me tre. Gjithsesi, francezët dhe portugezet nuk e kanë zhvilluar ende sfidën e katërt në grup, duel i cili do të startojë pak minuta më vonë.