Video/ Trafikantët shpëtojnë policët që ranë në det gjatë ndjekjes së tyre

Gjatë një operacioni anti-drogë në Malaga të Spanjës, tre agjentë policie ranë në det.

Ngjarja ka ndodhur në ujërat e Mijas, në Andaluzi. Gjithçka nisi kur njëra nga mjetet lundruese të Rojes Civile është vënë në ndjekje të një motoskafi i dyshuar si transportues i drogës me katër persona në bord.

Gjatë ndjekjes, dy motoskafët e policisë që udhëtonin me një shpejtësi shumë të madhe u përplasën, dhe tre agjentë të policisë ranë në det. Një helikopter në mbështetje të forcave të policisë bëri apel me një megafon për të shpëtuar agjentët e rënë në det.

Trafikantët në vend që të arratiseshin nxorën agjentët nga uji duke i marrë në motoskafin e tyre. Por gjesti i tyre nuk ndikoi aspak, pasi menjëherë sapo mbërritën në breg, të katërt u arrestuan me akuzën e trafikut të drogës. Policia spanjolle nxori nga uji më shumë se 80 pako për një total prej 3 ton marijuanë.