VIDEO / Vijon frikshëm eksodi i të rinjve shqiptarë

Të rinjtë vijojnë të kërkojnë mundësi më të mira jashtë Shqipërisë. Vetëm në nëntë ditë, Abc News ka mësuar se 2200 persona kanë aplikuar për të legalizuar diplomën e gjimnazit dhe për të nisur studimet e larta jashtë kufijve.

Këtë kohë oborrin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Tiranë e gjen plot. Të rinjtë që kanë mbyllur shkollën e mesme aplikojnë për të legalizuar diplomën. Dokumenti iu duhet për të nisur studimet e larta jashtë vendit.

Emi është një prej tyre. Ka mbaruar gjimnazin në Elbasan me mesatare 9.5 dhe dëshiron të studiojë për financë ose informatikë në Gjermani.

Nga rreth 36 mijë të rinj që kanë mbyllur maturën shtetërore këtë, vit Abc News ka mësuar se vetëm në nëntë ditë 2200 vetë kanë aplikuar për të legalizuar diplomën. Një pjesë të nxitur nga familjarët, të tjerë shprehen se jashtë kufijve iu ofrohen më tepër mundësi.

Tirana, Durrësi, Elbasani renditen ndër qytetet me numër të lartë aplikimesh ndërsa degët e përzgjedhura për të studiuar jashtë këtë vit janë kryesisht ato të ekonomisë, mjekësisë e inxhinieritë.

Ndërsa vitin e shkuar pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore u kryen rreth 15 mijë legalizime diplomash, por specialistët e arsimit shpjegojnë se ka nga ata që kërkojnë më shumë se një legalizim pasi aplikojnë në universitete të ndryshme.