Videoja e Lefter Allës/ Mustafaj: Ja ç’zgjedh Rama për kryebashkiakë. Gjithçka është rrënuar moralisht

Edi-rama-besnik-mustafa.jpg

Ish deputeti dhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj në një intervistë për rubrikën “Opinion” në “News 24” foli ndër të tjera edhe për videon ku dyshohet se kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla shfaqet duke konsumuar kokainë.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama vazhdon të zgjedhë njerëz të inkriminuar sepse i shërbejnë atij, ndërsa shtoi se SPAK nuk duhet të hetojë vetëm këtë rast, por edhe koncesionet korruptive të qeverisë.

“Nuk është çudi aspak. Përdorimi i drogës është një ves për të cilin është përfolur edhe kryeministri. Mua më intereson më shumë se çfarë zgjedh kryeministri për kryebashkiakë. Edhe njëherë tregohet se gjithçka është rrënuar moralisht. SPAK nisi të hetojë. Mirë bën, por ky SPAK nuk ka bërë hetime për koncesionet, kurse bën hetime për ngjarje të tilla. Është turp që mbyllet dosja e Unazës, pasi tenderi ishte korruptiv. Patjetër që nuk mund ta shpallim dot fajtor direkt, por nxitimi i SPAK më duket disi i pavend”, u shpreh ndër të tjera Mustafaj.

Ish-ministri shtoi më tej se nuk sheh shenja që kjo maxhorancë të dërgojë vendin në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.

“Unë nuk shoh shenja që maxhoranca do të dërgojë vendin në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Pa reformën zgjedhore nuk do të ketë zgjedhje të përgjithshme. Opozita nuk ka ndonjë gjë në dorë, përpos se të dalë në rrugë. Gjykata Kushtetuese mund të shpallë zgjedhjet të pavlefshme”,  tha Mustafaj

Në lidhje me ambasadoren e re amerikane në Shqipëri Yuri Kim, Mustafaj tha se ajo është me përvojë dhe beson se do të jetë aktive në punën e saj.

“Është një diplomate me përvojë. Është ambasadore që ka thënë para Senatit se do të përfaqësojë denjësisht vendin e vet në Shqipëri. Kam shpresa se do të jetë aktive”, deklaroi Besnik Mustafaj.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303