Vijon greva e urisë së naftëtarëve, njëri prej tyre përfundon në spital

Naftëtarët e Ballshit prej disa ditësh janë në grevë urie dhe sot një prej tyre ka përfunduar në spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Bëhet me dije se grevisti Pirro Hoxhara është dërguar me urgjencë në spitalin e Ballshit ndërsa raportohet se ka pasur probleme me tensionin.

Kujtojmë se sot është dita e 11 e grevës për naftëtarët e Ballshit pasi kanë 6 muaj pa marrë rrogën nga kompani të ndryshme.

Sakaq në grevë janë edhe punonjësit e nënstacionit elektrik të Poçemit dhe sot për ta është dita 13-të e grevës të cilët gjithashtu kërkojnë 27 rrogat e prapambetura.

Punonjësve të uzinës së Ballshit u është shprehur mbështetja edhe nga minatorët e Bulqizës dhe punonjësit e nënstacionit të Poçemit.

Kompania që ka në zotërim uzinën e Ballshit, ‘Tosk Energy’ dhe Bankers akuzojnë njëra tjetrën për mosrespektim të marrëveshjes, por e gjithë kjo vonesë bie mbi naftëtarët.

Naftëtarët kanë deklaruar se greva do të vazhdojë deri në momentin që problemi i tyre do të marrë zgjidhje, ndërsa thonë se kompanitë kanë tentuar t’i përçajnë, duke ofruar pagat dhe kontrata të reja për vetëm disa prej punonjësve.