Vjen propozimi i papritur, Presidenti Meta dekreton emrin për kreun e KLSH-së

Kur marrëdhënia me mazhorancën është shumë e tensionuar për Presidentin e Republikës ai ka gjetur momentin që të bëjë një tjetër propozim për drejtuesin e institucionit tjetër shumë të rëndësishëm kushtetues, KLSH-në.

Meta ka vendosur që Vitore Tusha t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për tu zgjedhur në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Presidenca thuhet se Presidenti pas realizimit të një procesi transparent dhe objektiv, ka arritur në konkluzionin se, Doktore e Shkencave Juridike Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për tu zgjedhur në këtë pozicion kushtetues.

“Presidenti i Republikës, vlerëson se Znj.Vitore Tusha, aktualisht anëtare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese të cilës i ka mbaruar mandati në këtë funksion që prej datës 10 mars 2017, gëzon një integritet të lartë moral dhe profesional, e konfirmuar edhe në rrugë istitucionale, pasi si subjekt i ligjit nr.84/2016, ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka kaluar me sukses dhe me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar (vettingun), për të gjithë komponentët e këtij procesi, duke krijuar bindjen se kandidatura e saj është e denjë për tu zgjedhur si Kryetar i Kontrollit ë Lartë të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Sipas Presidencës duke zgjedhur një kandidaturë si znj.Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues.

“Presidenti i Republikës gjen rastin të falënderojë të gjithë aplikantët e tjerë që kanë shprehur interesin për të marrë pjesë sipas thirrjes së hapur prej tij, disa prej të cilëve janë personalitete të njohura publike dhe me kontribute të shquara në fushat e ekonomisë dhe drejtësisë”, përfundon njoftimi i Presidencës, e cila shpërndan edhe CV-në e znj. Tusha.

Lër një koment