fbpx

Vllaznia e Teuta përballë njëra-tjetrës për t’u rikthyer te fitorja

kategoria-superiore-2.jpg

Kategoria Superiore do të vijojë sot me takimin e radhës të vlefshëm për javën e 13, sfidën mes Vllaznisë dhe Teutës, që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, në orën 16:30 dhe do të transmetohet në ekranin e Supersport 3.

Vllaznia ka një muaj pa fitore, që pas triumfit 1-3 në Vlorë ndaj Flamurtarit, ndërsa më pas ka regjistruar dy humbje e një barazim me Tiranën në kryeqytet, ndaj sot do të kërkojë triumfin ndaj bregdetarëve.

Trajneri Mirsad Jonuz deklaroi se ka pasur të gjithë grupin e futbollistëve në dispozicion dhe të gjithë kohën për të përgatitur maksimalisht këtë takim, ndërsa mungesa e vetme e shkodranëve do të jetë ajo e brazilianit Hygor, që është kthyer në atdheun e tij për një problem familjar.

Megjithatë tekniku nga Maqedonia e Veriut do të duhet të bëjë llogaritë mirë edhe me faktorin “Loro Boriçi”, një stadium që duket se u krijon shumë presion futbollistëve shkodranë dhe i pengon të japin më të mirën.

Ky fakt konfirmohet edhe nga rezultatet e skuadrës, që ka bërë më mirë në ndeshjet në transfertë, ndërsa Jonuz theksoi se futbollistët e tij duhet të japin maksimumin duke u argëtuar në fushë dhe të shfrytëzojnë praninë e publikut si armë plus.

Edhe Teuta e Blendi Shkëmbit ka harruar “shijen” e fitores, pasi suksesi i fundit i daton më 18 Tetor, pikërisht ndaj Flamurtarit, ndërsa më pas numëron tre barazime dhe një humbje, ndërsa sulmi vazhdon të jetë një problematikë për t’u zgjidhur.

Durrsakët janë një skuadër që vendosen mirë në fushë dhe marrin pak gola, por edhe krijojnë raste të shumta shënimi, megjithatë deri tani asnjë prej sulmuesve nuk po merr për dore ekipin, për ta çuar drejt sukseseve.

Të dy skuadrat renditen në vendin e 7 Teuta dhe të 8 Vllaznia me vetëm dy pikë diferencë, por me një kampionat si ky i këtij viti, një fitore të ngjit shumë lart, ashtu si një rezultat negative të zbret në pjesën e poshtme të tabelës, ndaj të dy ekipet do të tentojnë të lënë pas muajin e rezultateve negative, për të rigjetur suksesin.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303