Vodhën nga fondet e BE-së, arrestohen 100 persona

Policia italiane njoftoi se ka shkatërruar një rrjet mafioz në Sicili, i cili dyshohet për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian, të dedikuara për fermerët.

Gjithsej 94 persona u arrestuan në operacionet që u zhvilluan në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa 151 biznese të lidhura me anëtarët e këtij grupi janë bllokuar, njoftuan autoritetet.

Prokurorët italianë besojnë se grupi mafioz “Tortorici”, ka përfituar nga Bashkimi Evropian rreth dhjetë milionë euro përmes mashtrimeve.

Në mesin e të arrestuarve janë udhëheqësit e dy familjeve mafioze, një noter, disa ndërmarrës dhe administratorë publikë, të cilët e kishin për detyrë t’i ndihmonin fermerët për të pasur qasje në fondet e BE-së.

Ky klan kishte deklaruar se posedon toka private, ndonëse në të vërtetë ato ishin në pronësi publike. Në këtë mënyrë, këta persona kishin përfituar miliona euro nga Bashkimi Evropian.