Von der Leyen: BE duhet të përmbushë premtimet ndaj Ballkanit Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian duhet t’i përmbushë premtimet që u ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të vazhdojë procesin e zgjerimit.

Muajt e ardhshëm janë “vendimtarë”, tha von der Leyen në një seancë plenare të Parlamentit Europian.

“Është veçanërisht e rëndësishme që të ruhet ky ritëm në Ballkanin Perëndimor përpara se të mbahet Samiti i Zagrebit, nëse duam që ky samit të jetë i suksesshëm. Duhet t’i kryejmë detyrat tona tani”, tha von der Leyen.

Ajo theksoi se duhet mundësuar nisja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sepse, sipas saj, këto dy vende e kanë kryer pjesën e tyre të detyrimeve dhe se tani i takon palës europiane të përmbushë premtimin.

Samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Zagreb në muajin maj.

Tetorin e vitit të kaluar Këshilli i Bashkimit Europian nuk miratoi hapjen e negociatave me këto dy vende, pavarësisht rekomandimit të Komisionit Evropian se ato i kanë përmbushur kushtet.

Franca kërkoi reforma të mëtejshme por edhe reformim të procesit të zgjerimit.

Për rrjedhojë, deri në fund të janarit, Komisioni Evropian do të dalë me një metodologji të re për negociatat e pranimit, e cila më pas duhet të mbështetet nga shtetet anëtare të BE-së.