Votimi i anëtarëve të Kushtetueses, reagon edhe ambasadori gjerman

Ambasada gjermane në Shqipëri ka reaguar pasi Kuvendi zgjodhi sot me votat e mazhorancës dhe opozitës së re, katër anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Në një deklaratë për mediat ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf shprehet se në rrugën drejt një Gjykate Kushtetuese funksionale është e rëndësishme që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre.

Ndërsa përshëndet vendimin e sotëm të Parlamentit, Zingraf shton se “Bundestag-u e ka theksuar se sa e rëndësishme është rivendosja në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në”.

Një prej nëntë pikave të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE, ishte pikërisht ngritja dhe bërja e Gjykatës Kushtetuese funksionale.

Deklarata e plotë

Në rrugën drejt një Gjykate Kushtetuese funksionale është e rëndësishme, që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre në emërimin e gjykatësve kushtetues dhe të mos humbin fokusin. Ne përshëndesim vendimin e sotëm të parlamentit shqiptar. Bundestag-u Gjerman e ka theksuar në vendimin e tij të datës 26 shtator 2019 se sa e rëndësishme është rivendosja në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përforcimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor.