fbpx

Vrasja e 71-vjeçarit taksist/ Flet babai i dy vëllezërve: Më kanë borxh

“Familja e Abdulla Budllës më ka borxh nëse ka prekur nderin e familjes time”. Kështu shprehet mes tronditjes dhe hutimit Haki Shera, babai i dy vëllezërve Saimir dhe Arsil Shera, të cilët akuzohen se ekzekutuan me breshëri kallashnikovi taksistin 71-vjeçar, me të cilin dyshonin se nëna e tyre kishte një lidhje jashtëmartesore.

Në një intervistë  nga gjykata e Tiranës, burri tashmë në pension rrëfen se ka punuar në ndërtim bashkë me djemtë për të siguruar bukën e gojës, por ata asnjëherë nuk i shprehën shqetësim për çfarë po ndodhte në familjen e tyre. Edhe pse pranon se njëri nga djemtë Saimir ishte shumë i shqetësuar kohët e fundit, madje sipas tij, zgjodhi të largohej nga shtëpia dhe të jetonte në një fshat tjetër.

Për bashkëshorten e tij, që është dhe “molla e sherrit” në këtë histori, Haki Shera thotë se ende nuk ka marrë asnjë vendim. Ai mohon të kishte dijeni, që e shoqja, kishte një lidhje jashtëmartesore me taksistin, por nëse kjo ka ndodhur kujton sërish ‘borxhin’ dhe për gruan që ta zgjedhë vetë rrugën.

65-vjeçari pranon se e njihte viktimën Abdulla Budlla, madje ishte vetë ai që e punësoi vite më parë, si taksist të besuar të familjes.

Pensionisti qëndroi për orë të tëra në derën e gjykatës së Tiranës, për të mësuar për fatin e dy djemve. Në fund të një seance me dyer të mbyllura, gjykatësja Migena Laksa caktoi ndaj Saimir dhe Arsil Sherës masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndaj tyre rëndon akuza e vrasjes me paramendim. I vetmi që reagoi në gjykatë ishte më i madhi nga vëllezërit, Saimiri kur i tha gjykatëses se krimin e kreu për nderin e familjes.  BW