Vrasja e Indrit Çelajt / Prokuroria kërkon arrest me burg për babain e autorëve dhe 3 të tjerë

Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në Gjykatën e Penale të Tiranës kërkesën për caktimin e masës e sigurisë për katër të arrestuarit lidhur me vrasjen e Indrit Çelajt në Tiranë. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për katër të arrestuarit, mes të cilëve edhe për pronarin e vilës që po rikonstruktohej, Bujar Kusi, 54 vjeç.

Tre të arrestuarit e tjerë janë  Edmond Sula, 43 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, Ferdinand Bakalli 41 vjeç dhe Luan Çaka 36 vjeç të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ata  dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar policinë. Masa e sigurisë për ta do të caktohet ditën e nesërme.

Indrit Çelaj u vra dy ditë më parë në një vilë në kryeqytet ku po punonte si mekanik për të rregulluar kondicionerin.  Ai humbi jetën pasi u qëllua me një plumb pistolete në kokë nga djemtë e pronarit të ndërtesës ku ai po punonte. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, ndërsa i riu, Indrit Çelaj me origjinë nga Mallakastra, ndërroi jetë dje në Spitalin e Traumës.

Bujar Kusi

Dy vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, 31 dhe 28 vjeç, pasi qëlluan punëtorin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke e lënë fillimisht të plagosur rëndë, kërcënuan një tjetër punëtor, Lorenc Veliaj që shoqëronte Indrit Çelën për riparimin e kondicionerit me të cilin kishin lidhje shoqërore, duke i kërkuar të pranojë para autoriteteve se është ai personi që plagosi 26-vjeçari. Ai u largua nga vendi i ngjarjes, për shkak se rezulton të ishte në kërkim policor për vepra të tjera penale.

Veliaj u arrestua, shumë orë pas krimit, ku me dëshminë e tij ka zbardhur gjithçka ndodhi. Ai deklaroi se ishin vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi që në bashkëpunim me njëri-tjetrin qëlluan me armë punëtorin, pas një debati se po pikonte ujë kondicioneri. Ai tha se vëllezërit, i kërkuan që të pranonte se ishte ai personi që plagosi me armë Indrit Çelën, që dje ndërroi jetë.