Vrasja e Kashoggit; Shërbimi Sekret kanadez ka dëgjuar regjistrimin e Turqisë

jkhashoggi-file-2.jpg

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka konfirmuar se Shërbimi Sekret kanadez i ka dëgjuar regjistrimet turke të asaj që i ndodhi gazetarit saudit Jamal Khashoggi-t, duke shtuar se ai vetë nuk i ka dëgjuar.

Në një konferencë për shtyp në Paris, Trudeau u shpreh se shërbimi kanadez i inteligjencës po punon ngushtë me Turqinë për të hetuar vrasjen e gazetarit saudit.

“Kanadaja është plotësisht e informuar për atë që Turqia ka shpërndarë. Shërbimet sekrete kanadeze janë duke punuar shumë për këtë çështje me shërbimin sekret të Turqisë. Kam pasur një bisedë me presidentin Erdogan disa javë më parë dhe këtu në Paris ne kemi pasur një takim të shkurtër. ku e falenderova për forcën e tij për t’iu përgjigjur situatës për rastin Khashoggi”, tha Trudeau, i cili shtoi se ai vetë nuk e ka dëgjuar regjistrimin audio.

Kryeministri kanadez e shmangi pyetjen nëse kjo provë e vrasjes së gazetarit do të ndikojë në marrëdhënien e Kanadasë me Arabinë Saudite.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha gjatë fundjavës se regjistrimet me zë të videos së vrasjes i ishin dhënë qeverive amerikane, britanike, franceze, gjermane dhe Arabisë Saudite.

Megjithatë, qeveria amerikane ende nuk ka reaguar nëse e ka marrë regjistrimin audio të dëërguar nga Turqia, ndërsa Ministri i Jashtëm francez u shpreh se Franca ende nuk e ka marrë regjistrimin.

Khashoggi, një kritik i princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman, u vra në konsullatën saudite në Stamboll nga një skuadër e dërguar nga Riadi.

scroll to top