Gjashtë ditë nga vrasja e trefishtë në Elbasan, ende nuk ka asnjë të arrestuar nga policia.
Nisur nga dinamika, por edhe mënyra e ekzekutimit, vrasësit kanë qenë me pagesë dhe profesionistë, pasi nuk kanë lënë asnjë gjurmë duke e bërë shumë të vështirë identifikimin e tyre.
Ngjarja ndodhi në hyrje të Elbasanit, pranë Metalurgjikut, teksa autorët i ndoqën dhe i vranë tre personat Endrit Alibej, Arben Dylgjerin dhe turku Erdal Durunayn.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor autorët dyshohet se u larguan në drejtim të Peqinit pas ekzekutimeve me breshëri kallashnikovi.
Pas kontrollit të vendit të ngjarjes, katër agjentë të Krimeve të Rënda kanë bërë ditën e sotme një kontroll në këmbë përgjatë aksit Elbasan-Peqin për gjurmë të mundshme të autorëve.
Endrit Alibeaj ishte objektiv i atentatit, por të vdekur mbetën edhe daja i tij Arben Dylgjeri si dhe një turk, Erdal Durunay.
Burime nga Policia e Elbasanit thanë se ka dyshime që dy automjete janë përdorur në këtë atentat.
Makina e parë mendohet se ka ndjekur Endrit Alibejn gjatë ditëve që ai ka qenë në Shqipëri si dhe në datën 29 dhjetor, ditë ku u bë atentati. (real-news.tv)