Vritet në mënyrë misterioze në Holandë Presidenti i vetëshpallur i Çamërisë, Festim Lato

Është vrarë në mënyrë misterioze mbrëmjen e djeshme Presidenti i vetëshpallur i Çamërisë, Festim Lato.

Vrasja e Festim Latos ka ndodhur në Holandë nga persona të paidentifikuar.

Familja e të ndjerit ka njoftuar Policinë e Holandës dhe rasti ka filluar që të hetohet.

Festim Lato ishte shtetas shqiptar nga Vlora që punonte dhe jetonte në Holandë prej 25 vitesh.

Republikën e Çamërisë, Lato, e shpalli më 30 tetor të vitit 2016.

Ai kishte premtuar në vitin 2017 se shumë shpejt do të prodhoheshin edhe 500 pasaportat e para të Çamërisë.

Ndryshe Lato një vit më herët kishte thënë se si pas informacioneve të tij Shqipëria e Madhe do të bëhet shumë shpejt.

“Në një kohë të shkurtër, sipas informacioneve që unë kam nga burime të ndryshme, di që kufijtë do të ndryshojnë, por në favor të shqiptarëve. Asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nuk do të kalojnë në dorë të grekëve, maqedonëve apo malazezëve. Të gjitha këto troje do të mblidhen dhe do të bashkohen në një qendër, në atë që quhet Shqipëria Natyrale”, kishte thënë ai.

Vëllai, Xhemil Lato u shpreh se mbrëmjen e djeshme e kishin kontaktuar autoritetet holandeze për t’i dhënë familjes lajmin e vrasjes së vëllait në një atentat, por nuk dha më shumë detaje. “Është e vërtetë. Më ka marrë policia holandeze direkt dhe më njoftoi. Nuk e di kur ka ndodhur ngjarja, dje nga ora 21:00 më morën. Nuk dimë gjë më shumë.

Kemi dërguar njeri atje të merret vesh. Janë edhe fëmijët atje. Kemi 4-5 ditë që kemi folur për herë të fundit, komunikoi me nënën, por nuk na kishte shprehur ndonjë rrezik. Festimi jetonte atje, por është i ndarë nga gruaja” tha Xhemil Lato për Shqiptarja.com.

Sipas Report Tv, në Panaja të Vlorës, ku të afërmit shprehen se nuk e besojnë vërtetësinë e lajmit.

Ndërsa miqtë e tij në mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale akuzojnë se vrasja është politike. “Në Holandë nga vrasës të paidentifikuar, iu bë atentat presidentit të Republikës së Çamërisë z. Festim Lato. Për vrasjen e Festim Latos, sot e familjen Lato në Vlorë e njoftoi Policia Holandeze. Me këtë rast Qeveria e Republikës së Çamërisë, me në krye Kryeministri Ali Aliu, është shumë e tronditur, dhe i shpreh ngushëllime Familjes Lato nga Vlora, miqve dhe shkove të tij.

Vrasja e Presidentit të Republikës së Çamërisë, z. Festim Lato është vrasje me motive politike.  Festim Lato është heroi i parë Republikës së Çamërisë. Festim Lato, dritë t u bëftë gjaku o trim! Çamëria është gjaku ynë që s´falet! Lavdi që të patëm” shkruan, Ali Aliu i vetëshpallur si “Kryeministri i Republikës së Çamërisë”. Por, pavarësisht dëshmisë së familjes dhe miqve në rrjetet sociale nuk ka asnjë informacion zyrtar, ndërsa sipas Policisë së Shtetit nuk ka asnjë sinjal apo kontakt nga autoritetet holandeze për vrasjen e ndonjë shqiptari.