Vuçiç: S’dua t’i ofendoj Haradinajn e Kurtin, dua paqe

vucic-1.jpg

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiç, ka thënë se Beogradi i ka kuptuar porositë e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, se UÇK-ja e ka dëbuar ushtrinë serbe nga Kosova, sikurse edhe Albin Kurtin kur thotë se nuk do t’i japë territor Serbisë si ngushëllim për Kosovën e humbur.

“Janë njerëz seriozë dhe porosi serioze, i kemi pranuar dhe kuptuar. Ata e dinë se cilat janë interesat e popullit të vet, dhe ne i dimë interesat e popullit tonë. Interesi ynë parësor është paqja dhe ruajtja e paqes”, u shpreh Vuçiçi para gazetarëve në Serbi, transmeton Koha.net.

Sipas tij, “shqiptarët mendojnë se janë shumë të fuqishëm e serbët të dobët”, ndërsa shtoi se është më mirë që serbët të jenë të përgjegjshëm dhe seriozë, sepse e dinë se cilat janë interesat e tyre nacionale dhe shtetërore.

“Nuk më shkon mendja t’i ofendoj. Puna jonë është të ruajmë paqen dhe të ndihmojmë popullin tonë të qëndrojë, të ketë sa më pak gjykime për vepra verbale – më mirë të më gjykojnë mua sesa popullin tonë. Mua gjithmonë më interesojnë veprat e jo fjalët”, tha Vuçiçi.

Në një akademi përkujtimore të organizuar dje në 21 vjetorin e rënies së komandantit të Brigadës 113, Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorëve të kombit, kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se Alleksandar Vuçiçi dhe kolegët e tij nuk mund ta mohojnë që djemtë e UÇK-së i kanë përzënë ata nga Kosova.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303