Werder me komunikatë zyrtare për Rashicën

Sezoni ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për Milot Rashicën. Sulmuesi i “Dardanëve” është lënduar të shtunën kundër Fortuna Düsseldorf. Ai ka probleme me kofshë dhe sipas Kicker, ka shqyer muskulin, çka do të thotë se mund të mungojë gjatë.

Nuk ka nisur aspak mirë edicioni i ri për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica. Ai është lënduar në ndeshjen e parë në Bundesliga për sezonin 2019/20, raporton Gazeta Express.

Miloti u detyrua të lërë fushën e lojës në minutën e 65’ për shkak të një problemi në kofshë, ndeshje të cilën e humbi 1-3 Werderi nga Fortuna Düsseldorf.

Këtë e ka konfirmuar edhe klubi përmes llogarisë zyrtare në “Twitter”, duke treguar se testet tjera në ditët në vazhdim, do të tregojnë për shkallën e dëmtimit.