Xhafaj largohet duke rreshtuar sukseset

Fatmir Xhafaj mbajti një fjalim përshëndetës në Ministrinë e Brendshme, disa ditë pasi dha dorëheqjen nga kreu i këtij institucioni. Në fjalën e tij, Xhafaj rreshtoi, sipas tij, sukseset që ka arritur në krye të Ministrisë së Brendshme.

“Kemi mundur të arrijmë disa suksese të rëndësishme në përmirësimin e rendit. Vlerësimet e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë janë sukses. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për qindra mesazhe vlerësuese që kam marrë këto ditë, nga miq të ndryshëm”, deklaroi Xhafaj.

Xhafaj hoqi dorë nga posti i ministrit më 27 tetor. Fatmir Xhafaj u emërua në detyrën e Ministrit të Brendshëm në mars 2017, pas shkarkimit të Saimir Tahirit, i akuzuar nga opozita për bashkëpunim në trafik droge me grupin e Habilajve. Në maj 2017, pas paktit të 17 majit Rama-Basha në vend të Xhafajt u emërua ministri teknik Dritan Demiraj, por pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga PS, Xhafaj u rikthye në kabinetin “Rama 2”.

“Nuk jemi më në hartën e vendeve të kanabizuara, duke përmbyllur aksionin e madh antikanabis. Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ka qenë një nga objektivat tona kryesore”, tha më tej Xhafaj në fjalën e tij përshëndetëse.

Lër një koment