Xhafaj ndërron karrige. Lleshi ministër pa dekret!

xhafaj-ne-kuvend.jpg

Fatmir Xhafaj nga sot do të jetë i ulur në karrigen e ligjvënësit, si deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës. 75 kolegët e tij të mazhorancës në një seancë plenare të jashtëzakonshme mbajtur paraditen e sotme, votuan dekretin e Presidentit Ilir Meta, për shkarkimin e Xhafës nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. Një dekret që erdhi pasi Xhafaj i paraqiti dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.

Në vend të tij, ende pa u dekretuar nga Presidenti, do të qëndrojë, Gjeneral Sandër Lleshi, i cili zyrtarisht është emëruar nga kryeministri Rama, zëvendësministër i brendshëm. Por që siç kreu i qeverisë njoftoi në seancë e sotme në Kuvend, Lleshi do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, edhe pse është refuzuar nga presidenti për dekretim. Me këtë vendim – tha Rama – “ do t’i jepet ca ditë kohë presidentit që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë”.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri radhiti qëndrimin e tij se Presidenti është në shkelje të Kushtetutës, përballë faktit që ende nuk ka nxjerrë dekretin për emërimin e Lleshit si ministër i Brendshëm. Rama tha se siç ka të drejta kushtetuese, kreu i shtetit ka edhe detyra, dhe një ndër to është të dekretojë emërimin e cdo anëtari të kabinetit me propozim të kryeministrit, pa bërë asnjë interpretim.

Fatmir Xhafaj u emërua në detyrën e Ministrit të Brendshëm në mars 2017, pas shkarkimit të Saimir Tahirit, i akuzuar nga opozita për bashkëpunim në trafik droge me grupin e Habilajve. Në maj 2017, pas paktit të 17 majit Rama-Basha në vend të Xhafajt u emërua ministri teknik Dritan Demiraj, por pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga PS, Xhafaj u rikthye në kabinetin “Rama 2”. Xhafaj është njeriu që drejtoi reformën në drejtësi, i mbështetur maksimalisht nga ndërkombëtarët që nxisin këtë reformë.

scroll to top