Xhisiela Maloku: “Edhe ashtu, edhe kështu”

Prej 26 shtatorit, kur një ish-oficer në arrati në përpjekje për të fituar azil jashtë Shqipërisë, foli për një skandal kërcënimesh nga njerëz me pushtet politik, dhe bëri publike denoncimet e një vajzë të dhunuar nga i dashuri djalë politikani, Xhisiela Maloku është kthyer në personazhin kryesor të mediave. Një histori e kthyer në një telenovelë shqiptare ka pushtuar ekranet televizive dhe mediat online, madje akoma më masivisht, rrjetet sociale. E vërteta pritet të zbulohet nga hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Tiranës, por ajo që po shijon gjithë  vëmendjen mediatike, është vetë 25-vjeçarja nga Fushë-Kruja. Ndjeshmëria ndaj një vajze që kishte kallëzuar vetë në polici dhunën nga i dashuri i saj, Rexhep Rraja, djali 24-vjeçar i deputetit socialist Rrahman Rraja, ishte e lartë, si në radhët e politikës që bëri opozitën ta kthejë në kauzë kundër mazhorancës, ashtu edhe në radhët e shoqërisë civile që shkuan deri në protesta “pro” Xhisielës. Një raport i mjekësisë-ligjore ka faktuar se e reja është dhunuar, por historisë nuk i dihet ende filli pasi 25-vjeçarja ka bërë një lojë të gjatë me policinë, duke kallëzuar e më tej duke tërhequr deklarimet me argumentin se gjithçka e bëri nga xhelozia për të dashurin, tashmë thjesht një marrëdhënie korrekte miqësore mes tyre, siç Xhisiela shprehet.

Por nga vajza e ndrojtur që vështirë dha disa intervista televizive, sot Xhisiela nuk e ka problem të kërkojë vetë vëmendjen e mediave, duke u shfaqur edhe aty ku nuk e kërkojnë.

Dje ajo ishte në Gjykatën e Apelit, në seancën ku ish-i i saj kërkonte lirinë dhe rrëzimin e masës së “arrestit me burg” për akuzën e Përndjekjes që është ngritur ndaj tij. Vetë Rexhepi nuk ishte në gjyq, por Xhisiela, e ndjerë fajtore apo e kërcënuar (kjo i mbetet hetimeve ta zbulojnë), u bë zëri i tij për të thënë se meriton të lë qelinë pasi është i pafajshëm. Nuk ka frikë as të marrë riskun e arrestimit për kallëzim të rremë për dhunë, madje vetë avokati i Rexhep Rrajës i tregoi burgun, kur tha se klienti i tij duhet të lirohet dhe se Xhisiela duhej të futej në qeli.

E veshur sportive, me syzet që nuk i hoqi nga fytyra,  Xhisiela i ndërroi shumë shpejt rolet: Nga vajza që pretendohet e dhunuar, në vajzën arrogante ndaj gazetarëve.

Fajin tani duket se e gjen pikërisht tek media, e cila po i kthen reston e vërtetë të protagonizmit që 25-vjeçarja kërkoi të shijonte. Një vajzë nga fshati Larushk, e rritur jetime me nënën, motrën dhe gjyshin, me babanë e vrarë në vitet ’97, por me një jetë jo pak luksoze që nuk mund t’i shpëtojë syrit të medias. Veshje firmato, syze të shtrenjta dhe një makinë të vitit 2017, Peugeot, që rrallë kush arrin ta ketë të tijën edhe pas viteve të tëra punë.

Por Xhisiela nuk ka punuar ndonjëherë, ka kryer studimet në një universitet privat në Tiranë, ku i është dashur të shkojë vajtje-ardhje për vite me radhë nga fshati i saj drejt kryeqytetit. Nuk do mend se problemi i jetës së shfrenuar dhe lukzose që Xhisiela e shfaq pa frikë edhe në rrjetet sociale, nuk janë gazetarët. Është normale që kushdo të ngre pyetje se si një vajzë pa punë dhe pa të ardhura, e rritur në kushte të vështira, të ketë të tillë standard jetese. Por mllefi i saj është i kuptueshëm kur po përplaset me koston e vërtetë të “show-t” që kërkoi, veçse shënjestra për ta nxjerrë këtë mllef eshtë e gabuara. Nëse ka diçka për të mallkuar, këtë duhet ta bëjë me dhunuesin, nëse ai është vërtetë i tillë, dhe me veten: Për lojën që ka nisur prej muajit korrik me policinë, dhe që së fundi po gjen shteg për ta bërë edhe me gazetarët.

E udhës është që përsakohë drejtësia ende nuk ka folur, të heshtet! Ndryshe – nëse Xhisiela Maloku ka zgjedhur rrugën për t’i shkuar deri në fund të vërtetave të saj kontradiktore, duhet të gjejë kanalin e duhur për të mos u përballur me të vërtetat pa filtër të medias…E për këtë mund të shijojë protagonizmin me tepri në “Instagram”, aty ku nuk ndalet duke dalë “Live” në komunikime të ngjashme me ato të personazheve “VIP” me fansat e tyre!

/RealNews

Lër një koment