Xi Jinping: Lufta tregtare mes Kinës dhe SHBA nuk do të prodhojë fitues

xi-jinpig.jpg

Vendet që përqafojnë proteksionizmin janë të “destinuara të dështojnë”. Ishte ky paralajmërimi i lëshuar nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, përpara një takimi të APEC, në të cilin tensionet tregtare mes SHBA dhe Kinës ka të ngjarë të jenë në qendër të diskutimeve.

“Përpjekjet për të ngritur barriera dhe për të shkurtuar lidhjet ekonomike të ngushta punojnë kundër ligjeve të ekonomisë dhe tendencave të historisë. Kjo është një qasje e shkurtër dhe është e destinuar të dështojë”, u tha Xi udhëheqësve të biznesit.

“Ne duhet t’i themi jo proteksionizmit dhe unilateralizmit”, shtoi Xi, në një goditje të nënkuptuar për politikën e administratës amerikane “Amerika e para” .

Anëtarët e APEC-it, SHBA dhe Kina janë përfshirë në një luftë tregtare që ekspertët paralajmërojnë, mund të jenë katastrofike për ekonominë globale.

Të dy vendet kanë vendosur tarifa me vlerë miliarda dollarë ndaj mallrave të njëri-tjetrit dhe ka pak shenja të lehtësimit të menjëhershëm të tensioneve, me të dyja palët që kërcënojnë të rrisin veprimet nëse është e nevojshme.

Xi tha se bota duhet të mbështesë sistemin e shumëanshëm të tregtisë, të bëjë globalizimin ekonomik më të hapur, gjithëpërfshirës, të balancuar dhe të dobishëm për të gjithë.

Me shqetësimet në rritje se rivaliteti mes SHBA-së dhe Kinës mund të përshkallëzohet, Xi paralajmëroi se nuk do të hynte në këtë rrugë.

“Historia ka treguar se konfrontimi – qoftë në formën e një lufte të ftohtë, të luftës së nxehtë apo të luftës tregtare, nuk do të prodhojë asnjë fitues. Ne besojmë se nuk ekzistojnë çështje që vendet nuk mund të zgjidhin përmes konsultimit”, tha kreu kinez, për aq kohë sa negociatat zhvillohen në frymën e “barazisë” dhe “mirëkuptimit të ndërsjelltë”.

Nga ana tjetër, zëvendës presidenti amerikan, Mike Pence është kundërpërgjigjur më vonë, duke thënë se vendi i tij është i përgatitur madje për dyfishim apo më shumë të tarifave të vendosura ndaj produkteve kineze të importit.

Shtëpia e Bardhë njofton se tarifat e saj vijnë si pasojë e politikave tregtare “të padrejta” të Kinës.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë për të ndryshuar kurs, për sa kohë që Kina nuk ndryshon drejtimin e saj”, tha ai.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi presidenti Donald Trump u tha reporterëve se kishte besim, që një marrëveshje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara “do të arrihej”. Gjithsesi, ai tha se një sërë çështjesh nuk janë përfshirë ende në listën e negociatave, përpara samitit të muajit të ardhshëm të G20-s në Argjentinë, duke nënkuptuar se lista nuk është pranuar ende nga presidenti.

scroll to top