Zaev: BE duhet të na shpërblejë për marrëveshjen me Greqinë

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka shprehur pakënaqësinë e tij me faktin se Evropa nuk po i hap dyert vendit të tij për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Zaev ka thënë se në rast se Maqedonia Veriore nuk shpërblehet nga BE-ja për nënshkrimin e “Marrëveshjes së Prespës” me Greqinë, atëherë si pret që të arrihet një marrëveshje për Republikën e Kosovës.

“ Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës është një nga shembujt më të mirë në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE “penalizon” këtë marrëveshje dhe Maqedoninë e Veriut duke vonuar negociatat për pranim, si mund të presë që Aleksander Vuçiç dhe Hashim Thaçi të gjejnë një zgjidhje për çështjen e Kosovës, ose si do t’i motivojë liderët boshnjakë për të gjetur një zgjidhje në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Zaev, duke shtuar se Maqedonia Veriore nuk ka alternative tjetër përveç Evropës.

“Nuk kemi alternativë. Nëse BE-ja vendos që të mos hap rrugën për negociatat e anëtarësimit, ne nuk do të dorëzohemi në rrugën tonë drejt BE-së. Kjo është e ardhmja jonë”, ka thënë Zaev, i cili paralajmëroi se në rast të shtyrjes së mëtejshme, në Maqedoni mund të bjerë edhe qeveria.