Zbardhet raporti, Ilir Meta shkel rëndë ligjin, ja 9 akuzat ndaj tij

ilir-meta.jpg

Kuvendi i Shqipërisë ashtu sikurse ka njoftuar më herët do të mblidhet ditën e hënë për shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me arumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, me dekretin për zhbërjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Raporti i Komisionit të Ligjeve,e vlerëson si të ligjshme kërkesën e deputetëve për shkarkimin e kreut të shtetit. Në raport renditen 9 shkeljet e rënda të Kushtetutës dhe ligjeve nga Ilir Meta, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve.

Meta fyeu Komisionin e Ligjeve

Në raport thuhet se kryetari i Komisionit të Ligjeve, Uli Manja, ka ftuar Presidentin Ilir Meta që të ushtrojë të drejtën e tij për t’u dëgjuar në komision. Por, Komisioni i Ligjeve ka marrë një përgjigje nga sekretarja e përgjithshme e Institucionit të Presidencës, me një gjuhë fyese dhe ofenduese. “Bazuar në nenin 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, ku parashikohet se:

“… Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve.”, Kryetari i Komisionit, z. Ulsi Manja, me shkresën nr. 2502/3 prot, datë 19.06.2019, vuri në dijeni Presidentin e Republikës, zotin Ilir Meta lidhur me datën e mbledhjes së radhës së komisionit për vijimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesës së deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës, me qëllim garantimin e së drejtës së tij për t’u dëgjuar në Komision. Shkresës së Kryetarit të Komisionit të Ligjeve iu përgjigj sekretarja e përgjithshme e Institucionit të Presidencës, me shkresën nr. 1956/1prot, datë 22.06.2019. Në këtë shkresë, që përmban një gjuhë joetike, ironike, fyese dhe tejet ofenduese dhe aspak të denjë për institucionin që përfaqëson kreun e shtetit, ndaj deputetëve, Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe ndaj Kuvendit, nëpërmjet sekretares së përgjithshme, Presidenti i Republikës qartazi dëshmoi se nuk kishte interes të dëgjohej gjatë shqyrtimit të kërkesës në Komision”, thuhet në raport.

Raporti

Komisioni i Ligjeve, përmes një raporti, vlerëson si të ligjshme kërkesën e deputetëve për shkarkimin e Ilir Metës, ndërsa rendin 9 shkeljet e rënda të Kushtetutës dhe ligjeve.

Reagimi

Kryetari i Komisionit të Ligjeve ka ftuar Presidentit Ilir Meta që të ushtrojë të drejtën e tij për t’u dëgjuar në komision. Por, Komisioni i Ligjeve ka marrë një përgjigje sekretarja e përgjithshme e Institucionit të Presidencës, me një gjuhë fyese dhe ofenduese.

9 akuzat e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës

Ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit (në kundërshtim me nenin 2, pika 1 të Kushtetutës);

Ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit;

Është sjellë arbitrarisht me pushtetin, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare (në kundërshtim me nenin 1, pika 1, të Kushtetutës);

Ka anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 92, germa “gj”, të Kushtetutës dhe nenin 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor);

Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 1, pika 3 dhe nenin 109 të Kushtetutës);

Ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira (në kundërshtim me nenin 1, pika 3, të Kushtetutës);

Ka cenuar parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë (në kundërshtim me nenin 4 paragrafi i dytë i Kushtetutës dhe nenin 4 të K. Pr. Administrative);

Ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet;

Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (në kundërshtim me nenin 45, pika 1, të Kushtetutës).

Arsyet e dhëna nga Presidenti mbi anulimin e datës së zgjedhjeve

Shqetësimin e thellë mbi situatën politike në vend;

Nevojën për ç’tensionimin e situatës në vend;

Vetëdijen se kushtet aktuale nuk do të siguronin zgjedhje të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse;

Bindjen se kjo vendimmarrje, në kushtet aktuale, është mënyra e vetme për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së rëndë ku ndodhet vendi;

Argumentin se kjo vendimmarrje mbështetet në kompetencën që i jep neni 92, shkronja “gj” e Kushtetutës, si dhe preambula e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pika 3 e nenit 1, nenit 3, pika 2 e nenit 4, nenit 15, nenit 45, pika 1 e nenit 86, pika 3 e nenit 88 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303