Zbulohet artefakti i rrallë historik, provon influencën e Skënderbeut në Europën e shek. XV

Në mbyllje të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe në prag të 575-vjetorit të shpalosjes së flamurit të qëndresës dhe mëvetësisë nga Heroi ynë Kombëtar në vitin 1443 në Krujë, kryeministri i vendit, Edi Rama, ka prezantuar sot në Qendrën për Hapje edhe Dialog një artefakt të rrallë historik.

Bëhet fjalë për një hartë e cila vërteton jehonën edhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në të gjallë të tij. Një hartë detare e realizuar në vitin 1455, nga hartografi gjenovez, Bartolomeo Pareto për Papën Nikolla V. Harta detare 1 e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Romës, paraqitet si një portulan me finesë të madhe edhe me cilësi teknike të përkryer.

Në kartolinën që shoqëron hartën detare shkruhet, se: “Harta shquan nga prania e mjaft elementëve dekorative dhe e vendeve me interes të posaçëm, mes të tjerash ajo rrëfen bashkëkohësi ngjarjesh historike, në mënyrë të veçantë trysnin Osmane në Europë, e posaçërisht në Gadishullin e Ballkanit, ku në hapësirën e Arbërit bie në sy, toponimi i pazakontë “Scanderbeco””.

Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu la ushtrinë turke në Hungari për të luftuar osmanët nga Kruja në 28 nëntor të vitit 1443. Ndërsa, 2018-ta është shpallur Viti Mbarëkombëtar i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, për 550-vjetorin e tij të ndarjes nga jeta.

Gjatë fjalës së tij para prezantimit të hartës, kryeministri Rama dha lajmin se në katin e poshtëm të godinës së Kryeministrisë po ndërtohet muzeun historik i saj ku edhe do të vendosen të gjitha dhuratat e bëra.

Më tej, kryeministri Rama citoi Fan Nolin, i cili shprehej se nëse shqiptarët vërtetojnë dokumentarisht saktësinë e tri fushatave të sulltanëve të Krujës dhe dështimin e tyre atëherë ne kemi vërtetuar se gjithë historia e shkuar për Skënderbeun është e vërtetë.

“Artifakti që do të shikoni, një hartë në një lëkurë viçi ende të palindur është më shumë se një vepër. Ajo e sjell veprën e Skënderbeut të gjallë. Nëse Skënderbeu do të kishte qënë një mit pas vdekjes në një vend të atij për të cilin e njohim, ky emër nuk do të ishte shkruar”, tha ai.

 

Lër një koment