Zbulohet plani i Policisë së Shtetit për 30 qershorin

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Rovena Voda tha se Policia e Shtetit ka hartuar një plan mjaft profesional operacional për tu zbatuar në terren ditën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Por jo vetëm. Ndërhyrja e tyre do të jetë edhe për mbrojtjen e KZAZ-ve që këto ditë të fundit po sulmohen nga zyrtarë të bashkive të drejtuara nga PD dhe LSI si dhe militantë të tyre.

E ftuar në studion e lajmeve, zëvendësministrja Voda dha detaje mbi këta plan, aq sa mund të bëhen publike, për shkak se masat nuk raportohen publikisht deri para zbatimit në terren.

“Duke parë se çfarë po ndodh, shtrohet pyetja se ç’mund të ndodhë datën e zgjedhjeve? Unë siguroj që pavarësisht burimeve njerëzore që ka policia, ka arritur deri më sot me sukses të bëjë mbulimin e territorit. Edhe nëse ndodh situatë e rënduar, policia ka një plan operacional. kemi profesionistë dhe njerëz të zotë që kanë punuar me vite. Plani operacional ekskluzivisht zbatohet në terren dhe nuk mund të japë detaje. Është bërë plan për ndarjen e tyre në zona të nxehta. do të ketë efektivë policie edhe të departamenteve të tjera që do të angazhohen për ruajtjen e KZAZ-ve. Në Polici ka disa departamente që kanë në varësi oficerë policie, kemi edhe departamentin e Kufirit dhe Migracionit, forcat Operacionale, departamentin e krimit, dhe të gjithë do të jenë me masa dhe detyra të përcaktuara për të menaxhuar këtë situatë”, tha zv.ministrja në një intervistë për Report Tv.

Sa i përket situatës në Kukës ku policia e rendit zhvendosi materialet zgjedhore për t’i çuar në një tjetër vend, ende të pamësuar publikisht, zv.ministrja e Brendshme tha se kjo nuk është tërheqje por një strategji e fortë e Policisë së Shtetit për të mos pasur viktima.