Zëdhënësi i Metës-Spiropalit: E çmendura E. të ftojmë të lexosh…

Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta ka reaguar pas deklaratave të ministres për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Në një postim në Facebook, zëdhënësi i Metës e quan atë një të çmendur të cilën e fton të lexojë “raportin final të OSBE/ODIHR për dekretin kushtetues të Presidentit Meta dhe sjelljet antikushtetuese të Kuvendit, KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, që i provojnë të gjithë botës demokratike kapjen e shtetit nga Rilindja moniste”.

Ai thotë se qeveria do të heqë vëmendjen nga miratimi i PPP-ve më të shtrenjta në botë, e të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“E ftojmë të Çmendurën E. të lexojë raportin final të OSBE/ODIHR për dekretin kushtetues të Presidentit Meta dhe sjelljet antikushtetuese të Kuvendit, KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, që i provojnë të gjithë botës demokratike kapjen e shtetit nga Rilindja moniste.
Klithmat anti-presidenciale të porositura sot me urgjencë duan të spostojnë vëmendjen nga miratimi kokëfortë i PPP-ve më të shtrenjta në botë, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe interesin publik, dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Blushi.

Ndërsa Spiropali tha në Kuvend: “Presidenti kthen në Kuvend çdo ligj. Sulmon nëpërmjet tastierës së tij dhe zëdhënësve qeverinë dhe parlamentin. Presidenca duhet ta dijë se kthimi i këtyre ligjeve është në kundërshtim me interesin publik. Rezervat materiale, janë vetëm të grupit A tek gruri dhe materialet e thjeshta, nuk e di pse Metës i shkon mendja menjëherë tek floriri, por këtë le ta shpjegojë Frojdi jo ne. Nevoja e ndryshimit të këtij ligji vjen nga eksperiencat e mëparshme. Gjatë kohës së emergjencave kemi pasur një vonesë të lëvrimit të mallrave.”